Svoboda | Graniru | BBC Russia | Golosameriki | Facebook

Lidhje

Urat e paligjshme me inerte në Adriatik rrezik për mjedisin


Urat e paligjshme me inerte në Adriatik rrezik për mjedisin
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:14 0:00

Urat e paligjshme me inerte në Adriatik rrezik për mjedisin

* Materiali u përgatit nga Gëzim Kabashi, për rrjetin e gazetarisë investigative BIRN

Bregdeti shqiptar ka humbur mijëra hektarë për shkak të erozionit detar në dekadat e fundit. Problemi fillon me ndërhyrjet mbi lumenj, marrjen e inerteve pa kriter prej tyre apo ndërtimin e digave dhe hidrocentraleve me tuba. Kjo ka ulur sasinë e inerteve që lumenjtë dërgojnë në det dhe ka bërë që deti të hyj qindra metra në tokë.

“Unë po shikoja tani hartën 1 me 10 mijë, të para shumë viteve edhe ta krahasosh me relievin tani, s’është kurrkund. Do thuash nuk është e ndjeshme, por është deri në 100-150 metra ndryshim”, thotë Profesor Adem Hyseni, inxhinier gjeolog.

Shqipëria ka 427 kilometra bregdet dhe 253 kilometra përbëhen nga plazhe me rërë të sedentuar, të cilat kërcënohen nga erozioni që vjen si pasojë e ndërtimit të digave në lumenj dhe ulja e prurjeve si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike.

Për t’i bërë ballë erozionit dhjetëra ura e pontile janë ndërtuar me masive gurësh që janë hedhur në det në të gjithë bregdetin e vendit. Pontilet ndonjëherë prej gurësh të mëdhenj dhe herë të tjera thjeshtë mbetje ndërtimesh të hedhura në det, kanë një gjatësi 50-60 metra dhe janë ndërtuar kryesisht vertikalisht me bregdetin.

Qëllimi i tyre është të ndalojnë erozionin e brezit të rërës para hoteleve dhe lokaleve ku janë ndërtuar. Specialistët theksojnë se këto pontile të ngritura pa asnjë studim dhe pa leje e dëmtojnë më shumë bregdetin.

“Ata që i kanë ndërtuar këto, i kanë ndërtuar duke menduar se do të mbrojnë pjesën e tyre, por ka ndodhur e kundërta. Atyre vit për vit po u dëmtohet sipërfaqja që ata e shfrytëzojnë për plazhistët dhe për qëllime të turizmit. Pra efekti është i kundërt”, thotë Tomorr Spahiu, inxhinier konstruktor portesh.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për informacion se kishte identifikuar dhe prishur 72 mole të paligjshme nga viti 2019. 70 prej tyre në bregdetin nga Vlora në Ksamil dhe 2 në Shëngjin.

Por numri i moleve është disa herë më i madh. 15 të tillë numërohen lehtësisht në zonën nga Mali i Robit deri në Qerret të ndërtuara vetëm në vitet e fundit.

Ato janë kryesisht pa leje. Këshilli Kombëtar i Ujit, KKU i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për informacion, se kishte miratuar vetëm 8 leje për ndërtime të kësaj natyre, kryesisht për portin në Porto Romano dhe gazsjellësin Tap. Asnjë nga hotelet apo lokalet buzë detit që kanë ndërtuar mole në Adriatik, nuk ka leje për to.

Ndërhyrjet e paligjshme dhe të pastudiuara kanë krijuar sipas specialistëve probleme shtesë dhe dëmtim të ekuilibrave natyrorë. Ata theksojnë se për t'i bërë ballë erozionit duheshin bërë barriera horizontale që imitojnë natyrën.

Dhe pasojat po i vuajnë po ata që i kanë ndërtuar sepse me natyrën nuk bëhet luftë, duhet të dish të veprosh e t’i përshtatësh ligjeve të natyrës në mënyrë që të mund të kesh mundësi ta mbrosh”, thotë zoti Spahiu.

Sipas specialistëve bregdeti shqiptar ka nevojë për ndërhyrje të plotë për ta mbrojtur nga erozioni. Ata theksojnë se pontilet e ndërtuara me inerte janë kthyer në ndotës të bregut dhe shtratit të detit.

“Të lëna ashtu në mëshirë të fatit ata me kohë, koha do t’i gërryej do t’i shkatërrojë, do t’i shpërbëjë shpërndajë nëpër plazh do të ndotin me një fjalë mjedisin dhe fundin e detit, që s’është aspak gjë e mirë”, thotë Profesor Adem Hyseni.

Përfaqësuesit e bizneseve përgjatë vijës bregdetare pranojnë se pontilet e ndërtuara kanë qenë shpesh të pastudiuara mirë dhe në mungesë të një plani kombëtar për të mbrojtur bregdetin.

Logjika ka qenë që secili ka mbrojt biznesin e vet....Duhet të fillojmë të mendojmë që mjedisi nuk janë vetëm plehrat, por edhe ruajtja e bregut dhe ruajtja nga erozioni i brigjeve tona të cilat janë një pasuri e jashtëzakonshme”, thotë Alban Isteri, kryetar i Dhomës së Tregtisë Durrës.

Deri sa aktorët e ndryshëm publikë dhe privatë të ndërgjegjësohen mbi nevojën për një zgjidhje afatgjatë dhe të studiuar, brigjet shqiptare do vazhdojnë të jenë në rrezik.

XS
SM
MD
LG