Svoboda | Graniru | BBC Russia | Golosameriki | Facebook

Lidhje

Zgjerohet ri-integrimi i të kthyerve nga Siria në Ballkanin perëndimor


Vendet e Ballkanit perëndimor i kanë shtuar përpjekjet në rehabilitimin dhe ri-integrimin e të kthyerve nga zonat e konflikteve si Siria dhe Iraku.

Por ky proces vlerësohet nga ekspertët se do të jetë i gjatë dhe i vështirë në shumë fusha.

Zgjerohet ri-integrimi i të kthyerve nga Siria në Ballkanin perëndimor
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:22 0:00

Në një takim ndërkombëtar sot në Tiranë, Kosova u vlerësua për numrin e lartë të të kthyerve, dhe Shqipëria, për trajtimin e fëmijëve dhe grave.

Përfaqësues të Bashkimit Europian dhe nga Fondi Global i Angazhimit dhe Qëndrueshmërisë së Komunitetit, theksuan sot se riintegrimi personave të kthyer nga ish zonat e konfliktit në Siri dhe Irak është me rëndësi të madhe në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Shqipëria ka kthyer deri tani 43 persona, 30 nga të cilët janë të mitur 2 -16 vjeç. Ata janë mirëpitur në sistemin shkollor, duke u përfshirë në shumë klasa të zonave të ndryshme ku jetojnë, dhe me ta po ndiqet një plan mësimor enkas për këto raste pas mësimit të rregullt, dhe në fundjava.

Drejtuesja e Qendrës Koordinuese Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Lejdi Dervishi, thotë se krahas shkollimit të fëmijëve, po vazhdon trajtimi psiko-social i nënave të tyre.

“Përsa u përket nënave, ende nuk jemi duke folur për një punësim konkret për to, por kemi kaluar atë fazën e parë rehabilituese. Ato marrin trajtim socio-ekonomik nga bashkitë ku jetojnë, marrin trajtim psikologjik nga psikologe të specializuar si dhe nga organizata të shoqërisë civile dhe shumë shpejt do të nisin kurse profesionale për të mundësuar punësimin dhe të jenë të pavarura dhe në gjendje të mirëmbajnë fëmijët dhe familjet e tyre” - thotë zonja Dervishi.

Kosova është një ndër vendet që ka kthyer nga zonat e konfliktit një numër jashtëzakonisht të madh të qytetarëve të vet, e tani po përballet me sfidën e trajtimit të këtij grupi specifik që kanë jetuar për një kohë nën një ideologji të caktuar.

Drejtuesi i departamentit të sigurisë publike në ministrinë e punëve të brendshme të Kosovës, Mensur Hoti, përveç një ngurrimi në fillim, tani nuk shënohen refuzime apo stigmatizim të këtyre personave në shkolla dhe në jetën e përditshme qytetare.

“Deri tani janë mbi 400 persona, që kanë si pjesëmarrës atje. Nëse lasim për kthime të organizuara, kemi mbi 130 persona që janë kthyer në Kosovë. Aty këtu kemi patur edhe kthime, që nuk janë bërë në mënyrë të organizuar, por në mënyrë vullnetare. Numri i përgjithshëm i të kthyerve e kalon shifrën mbi 250 persona, të cilët janë pjesë e programeve të udhëhequra nga ministria e punëve të brendshme” - thotë zoti Hoti.

Bashkimi Europian e ka mbështetur nga fillimi procesin e kthimit në atdhe nga zonat e Sirisë dhe Irakuttë ish luftëtarëve të huaj të rekrutuar për terrorizëm dhe familjeve të tyre.

“Më shumë se një mijë persona nga Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Shqipëria kanë udhëtuar në atë rajon e tani shtetet janë angazhuar për riatdhesimet e tyre - Macej Popowski, përfaqësues i Komisionit Europian. - Së pari, vendeve fqinjë të tyre u nevojiten angazhime politike, që kjo nuk do të cënojë sigurinë e rajonit dhe më gjerë, ndërkohë që janë edhe në një proces integrimi europian. Pjesa tjetër është riintegrim, ku janë përfshirë organizata të specializuara, sipas një axhende europiane për sigurinë”,

Ndërsa ministri i punëve të brendshme të Shqipërisë, Bledi Çuçi, thotë se të gjithë institucionet po bëjnë secila pjesën e tyre në sfidën për rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të kthyer nga Siria dhe Iraku, sipas një strategjie të re.

“Agjencitë e zbatimit të ligjit, arsimi, shëndetësia, strukturat sociale po punojnë krah për krah për ri-integrimin e të kthyerve nën drejtimin e Qendrës Koordinuese kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Rajoni i Ballkanit perëndimor është angazhuar në një dialog në rrjet kapilar për të trajtuar këto sfida së bashku në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm” - thotë zoti Çuçi.

Shqipëria ka përfituar nga Fondi Global i Angazhimit dhe Qëndrueshmërisë së Komunitetit, 2 milionë dollarë nga viti 2020 në ndihmë për të kthyerit nga zonat e konfliktit, riintegrimin e tyre, ndërsa në tërësi Ballkani perëndimor ka përfituar afro 8 milionë dollarë në 5 vitet e fundit, në një proces që vlerësohet nga ekspertët se do të jetë i gjatë dhe i vështirë.

XS
SM
MD
LG