Svoboda | Graniru | BBC Russia | Golosameriki | Facebook

Lidhje

Marrëveshja me SHBA i hap rrugën pavarësisë energjetike të Kosovës


Parlamenti i Kosovës ratifikoi sot unanimisht marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara që u nënshkrua të mërkurën në Uashington, për fondin më të madh që ka marrë vendi deri sot për sektorin energjitik. Nga mbi 236 milionë dollarë që parashikon marrëveshja, Shtetet e Bashkuara do të investojnë 202 milionë dollarë. Marrëveshja synon ndërmarrjen e hapave drejt pavarësisë energjetike, në një moment kur siç i thanë udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe zyrtarë amerikanë Zërit të Amerikës, kjo pavarësi është bërë nevojë urgjente për tërë botën.

Marrëveshja me SHBA i hap rrugën pavarësisë energjetike të Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:36 0:00

Rritja e çmimeve globale të energjisë, pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, e përforcon nevojën e arritjes së pavarësisë në sektorin energjetik. Në kushtet kur Kosova çdo dimër duhet të blejë energji, Presidentja e Vjosa Osmani i thotë Zërit të Amerikës se është urgjente që të ndërmerren hapa drejt kësaj pavarësie.

“Pavarësimi energjetik i Kosovës në këtë kohë nuk është vetëm i rëndësishëm, por i domosdoshëm”, tha zonja Osmani.

Ligjvënësi amerikan, Bill Keating, anëtar i komisioneve të Kongresit amerikan, për Forcat e Armatosura dhe për Punët e Jashtme, thotë se sa më shpejt të sigurohet pavarësia energjetike, aq më pak të mundur do ta ketë Rusia ta përdorë energjinë si armë lufte.

“Ata nuk do të jenë në gjëndje ta bëjnë këtë në të ardhmen e afërt. Ne do të ecim para në atë drejtim dhe kjo është e rëndësishme kur është fjala për sigurinë e Kosovës dhe në përgjithësi sigurinë e vendeve me të cilat ndajmë të njëjtat vlera”, tha ligjvënësi Keating në intervistën për Zërin e Amerikës.

Shefja e Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit, Alice Albright nënshkroi marrëveshjen për energjinë për palën amerikane.

“Kjo është paketa më e madhe e fondit ndërkombëtar të zhvillimit që Kosova do marrë ndonjëherë. Ajo që do të ndërtohet dhe zhvillohet nga ky fond është shtimi jashtëzakonisht i madh i mundësive të Kosovës në sektorin e energjisë”, tha zonja Albright.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se marrë parasysh zhvillimet globale, Kosova nuk mund të merrte marrëveshje më të mirë.

“Në kohën e krizës energjetike e cila e ka kapluar globin e në veçanti Evropën për shkak të invazionit rus në Ukrainë dhe inflacionit që pasoi dhe në kohën kur Kosova nuk arrin që me prodhimin e saj, në stinën e dimrit, ta mbulojë shfrytëzimin, nuk kemi mundur të paramendojmë një marrëveshje më të mirë”, u shpreh për Zërin e Amerikës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Parlamenti i Kosovës të enjten e ratifikoi marrëveshjen me 89 vota për dhe asnjë kundër.

Por, rruga deri te pavarësimi energjetik i Kosovës është e gjatë. Fillimisht, derdhja e fondeve do të bëhej vetëm pas dy vjetësh.

“Mirëpo, kryeministri ka kërkuar dhe Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit është pajtuar, që për shkak të rëndësisë së projektit, kjo të bëhet sa më shpejtë që është e mundur…brenda 18 muajsh do të jetë faza përgatitore ndërsa pas 18 muajsh do të fillojë zbatimi i programit”, tha për Zërin e Amerikës, Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli.

Në këtë periudhë Kosova duhet të bëjë ndryshime ligjore dhe të plotësojë kushte të tjera të vëna nga pala amerikane.

“Unë them që kemi arritur vetëm në përfundim të fazës së parë dhe tani fillon puna e vështirë për ta implementuar planin. Ne kemi një plan të detajizuar të implementimit”, tha zonja Albright nga Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit.

Por çfarë konkretisht do të përfitojë Kosova nga ky investim?

Kosova nuk e ka gjithmonë të nevojshme të blejë energji elektrike. Me raste, vendi mund të prodhojë më shumë energji se sa është e nevojshme. Por kjo sasi e energjisë humbet pasi Kosova nuk ka asnjë kapacitet të ruajë energji për kohëra kur përdorimi rritet.

Investimi amerikan pritet ta zgjidhë këtë problem, duke i mundësuar Kosovës të blejë bateri të veçanta ku do të ruhej energjia e tepërt e prodhuar për periudha si dimri kur nevoja rritet. Ndërkohë, Kosova duhet të ulë varësinë nga qymyri dhe të krijojë mënyra për prodhimin e energjisë që janë të padëmshme për mjedisin.

“Ne po provojmë që të rritet partneriteti me Shqipërinë në këtë aspekt. Siç e dini, ne kemi nevojë për ndihmën e njëra-tjetrës në stinë të rëndësishme sepse Kosova e prodhon kryesisht energjinë nga qymyri kurse Shqipëria nga uji dhe duhet rritur bashkëpunimi që importi të kryhet me këtë vend…. Çelësi është investimi në energjinë e gjelbërt, krijimi i llojllojshmërisë, në mënyrë që Kosova të mos varet vetëm nga qymyri sepse siç e dini edhe ato kapacitete që ekzistojnë në termocentralet e tashme janë shumë shumë të vjetra sepse nuk është investuar në to me dekada” tha për Zërin e Amerikës, presidentja Osmani.

Investimi amerikan ka edhe përfitime të tjera dhe një nga kryesoret që përmendet nga ministrja e ekonomisë së Kosovës është rritja e burimeve njerëzore, me theks të veçant shkollimi i grave për industrinë që momentalisht është e mbizotëruar nga burrat.

“Ka të bëjë me trajnimin, informimin për të hapur mundësitë e reja për gratë në sektorin e energjisë, mirëpo gjithashtu për të përkrahur punëdhësit në sektorin e energjisë që të krijojnë kushte më të mira për përfshirjen e grave”, tha ministrja e ekonomisë së Kosovës, Rizvanolli

Sipas zyrtarëve të Kosovës, pasi projekti të përfundohet, Kosova do të bëjë një hap të madh drejt pavarësisë energjetike, do të ketë stafin më të trajnuar në rajon për teknologji moderne në prodhimin dhe ruajtjen e energjisë, ndërkohë ekonomia do të përfitojë nga kursimi i miliona eurove në vit duke shmangur nevojen e importimit të energjisë.

XS
SM
MD
LG