Svoboda | Graniru | BBC Russia | Golosameriki | Facebook

Lidhje

Begaj: Shtrirja e autoritetit të Kosovës në veri – tërësisht e ligjshme


Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha të hënën në Prishtinë se i mbështet plotësisht veprimet e autoriteteve të Kosovës, pas tensioneve në veriun e vendit më 31 korrik, ku protestuesit bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për masat e reciprocitetit me Serbinë për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

Këto komente zoti Begaj i bëri pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në vizitën e tij të parë jashtë vendit që kur mori detyrën.

“Përshëndes maturinë e shtetit të Kosovës në përballimin e krizës së 31 korrikut dhe mbështesë plotësisht të drejtën e saj legjitime për shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit, në bashkëpunim me partnerët tanë strategjik – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Vlerësoj qëndrimin e presidentes dhe qeverisë së Kosovës në vazhdimin e dialogut me Serbinë, si e vetmja mënyrë për të bërë të qartë se realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm”, tha zoti Begaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi nga Bashkimi Evropian të jetë më i zëshëm përballë tendencave, siç tha ajo, destabilizuese të Serbisë ndaj gjithë rajonit, të cilat tha se janë të nxitura dhe në shërbim të interesave të Rusisë.

Bashkimi Evropian u bëri thirrje të dielën udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë t’i japin fund retorikës nxitëse, duke iu referuar deklaratave për luftë dhe konflikt në Ballkanin Perëndimor. Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka pasur rrezik që tensionet e fundit në veri të përshkallëzoheshin në konflikt të armatosur, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha javën që lamë pas se ka informacione qe Prishtina po përgatitet të "likuidojë" serbët në veri.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë ekuivalencë të trajtimit të palëve kur qartazi Serbia është agresori edhe një herë, dhe është ajo që po përdorë retorikë luftënxitëse në raport me Kosovën por edhe veprime të cilat cenojnë paqen dhe stabilitetin ndaj Kosovës. Prandaj presim që sinjale të qarta nga Bashkimi Evropian të jepen në raport me Serbinë, e cila duhet një herë e përgjithmonë të ndalojë këto veprime që cenojnë sigurinë në rajon”, tha zonja Osmani.

Presidentja Osmani dhe presidenti Begaj, u zotuan se do të përpiqen të thellojnë bashkërendimin në një kohë të ndjeshme për sigurinë në rajon dhe botë, duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë.

“Lufta në Ukrainë na tregon edhe një herë se paqja është delikate dhe si asnjëherë më parë bota po përballet me kërcënime të reja. Siguria kombëtare, pavarësia energjetike, siguria ushqimore, pandemitë, siguria kibernetike, rezervat ujore e shumë të tjera, janë fusha me rëndësi prioritare dhe më shumë se kurrë kërkojnë bashkëpunim të shtuar”, tha presidenti Begaj.

“Fakti që Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s krijon siguri më të madhe në gjithë rajonin tonë, në këtë kohë kur po sfidohet arkitektura e sigurisë jo vetëm në kontinentin tonë por edhe më gjerë, siguria është shndërruar në përparësi. Prandaj krahas procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO, që mbetet synim i yni i vazhdueshëm, ne po bëjmë bashkërendim të plotë e të afërt me partnerët tanë strategjik në mënyrë që rajoni të ndjehet çdo herë e më i sigurt”, tha presidentja Osmani.

Begaj: Shtrirja e autoritetit të Kosovës në veri – tërësisht e ligjshme
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:49 0:00

Ajo nënvizoi se me presidentin Begaj ka diskutuar edhe mundësinë e nënshkrimit të një traktat për mbrojtje të ndërsjellë.

Presidenti Begaj, tha se mbështet anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, ndërsa siguroi se Shqipëria do të jetë zëdhënëse dhe përforcuese e zërit dhe interesave të Kosovës.

XS
SM
MD
LG