Svoboda | Graniru | BBC Russia | Golosameriki | Facebook

Lidhje

Tiranë, nën arrest 9 administratorë e përmbarues për skema mashtrimi në kredidhënie, Banka e Shqipërisë revokon dy licenca


Shërbime monetare, pamje nga puna
Shërbime monetare, pamje nga puna

Prokuroria e Tiranës kërkoi masa arresti për nëntë persona të dyshuar për veprën penale “Skema mashtruese dhe piramidale” administratorë dhe përmbarues nga institucionet financiare Micro Credit Albania, ADCA, si dhe shoqërive përmbaruese Zig, FS, FLASH.

Tiranë, arrestohen 9 administratorë dhe përmbarues për skema mashtrimi në kredidhënie
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00

Në dyshimin për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe vjedhjes, gjykata vendosi masën e arrestit me burg për shtetasit Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato.

Për shpërdorim detyre dyshohen Arben Meskuti, Alban Kote. Policia bëri të ditur se ende po punon për kapjen edhe të këtij të fundit.

Gjykata vendosi masën e arrestit në shtëpi për katër të pandehurat Kejda Seferi, Elda Ibro në dyshimet për vjedhje, si dhe shpërdorim detyre për Jorsida Dervishin dhe Alketa Tanushin.

Sipas prokurorisë, të dyshuar për vjedhje janë administratorja e MCA-së Elda Ibro dhe administratorët e shoqërisë përmbarimore Star-FS Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato, të dyshuar për shpërdorim detyre janë Arben Meskuti, Alban Kote, Alketa Tanushi.

Prokuroria bëri të ditur se këto shoqëri morën nga Banka ProCredit 3 mijë e 999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7 milionë e 299 mijë euro dhe “përdorën një skemë shtrënguese të kredimarrjes, ku nëpërmjet vjedhjes, u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi, edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat”.

Këto veprime të paligjshme të 3 shoqërive përmbarimore, 1 institucioni financiar jobankë, 1 zyre avokatore, 1 notereje dhe disa personave të tjerë të lidhur, sipas prokurorisë, cënuan interesin pasuror të mijëra shtetasve me pasoja shumë të rënda ndaj një kategorie të gjerë qytetarësh.

"Tre shoqëritë përmbarimore Zig, STAR/FS dhe Flash si dhe 2 shoqëritë Micro Credit Albania dhe ADCA, kanë vepruar si një entitet i vetëm me interes dhe aktivitet të përcaktuar. Sipas materialit kallëzues, pesë shoqëritë me ndihmën e një noteri dhe një duzine avokatësh, kanë krijuar skemën e “Shtrëngimit të debitorëve nëpërmjet procesit përmbarimor për marrjen e kredive te reja”, në përfitim te institucionit financiar jo banke Micro Credit Albania”, theksohet në materialet që prokuroria i ka nisur gjykatës.

Subjekti MCA dyshohet se ka përdorur vjedhjen për likuidimin e këtyre kredive të blera, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol po kjo agjenci.

Pas marrjes së një kredie të re pranë saj, zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë MCA u kërkonte atyre likuidimin e shumave të tjera.

Një numër kreditorësh janë pre kësaj skeme që vidhte pasuritë e tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.

Viktimë e kësaj skeme mashtruese mësohet jozyrtarisht se kanë rënë mijëra qytetarë të shtresës së varfër, ndërsa shumat që iu janë vjedhur atyre shkojnë në disa miliona euro.

Pjesë e skemës abuzuese këto institucione financiare kishin edhe kamatë vonesa nga 2% deri në 8% për çdo vit, veprim që thellonte ndjeshëm vjedhjen e shumave të konsiderueshme.

Prokuroria solli si një shembull të abuzimit të skajshëm rastin kur një shtetasi iu sekuestruan nga MCA 14 pasuri të paluajtshme për një detyrim të prapambetur afro 3 mijë e 500 dollarë.

Ky është një nga rastet e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme, që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Për këtë veprimtari kallzimin e kishte bërë ministria e Drejtësisë më shumë se katër vjet më parë. Në njoftimin e policisë detajohet se vitin 2019 ministria e Drejtësisë ua ka hequr këtyre personave licencën si përmbarues gjyqësor privat.

“Këto 3 shoqëri përmbarimore dhe 2 institucione financiare, me ndihmën e një noteri dhe të disa avokatëve, kanë krijuar skemën e shtrëngimit të debitorëve nëpërmjet procesit përmbarimor për marrjen e kredive të reja”, thuhet në njoftimin e policisë.

Subjekte të ndryshme, sipas saj, janë mashtruar për të marrë kredi të reja tek institucionet financiare, për të paguar kredi të vjetra nëpër banka, të cilat ishin blerë nga i njëjti institucion, që zhbllokonte përkohësisht pasuritë dhe llogaritë e debitorëve, por më pas kërkonte shlyerjen e shumave të tjera.

Banka e Shqipërisë revokoi sot licencat e dy subjekteve financiare jobanka: licencën e shoqërisë “Micro Credit Albania”, e cila ishte e pezulluar në shkurt të këtij viti, si dhe licencën e shoqërisë “Final”. Ajo ndërkohë po shqyrton kuadrin ligjor dhe rregullativ lidhur me administrimin në vijimësi të portofolit të klientëve të këtyre dy shoqërive.

“Për ortakët e të dy shoqërive që u është revokuar licenca, me kërkesën e Prokurorisë është vendosur masa e arrestit nga Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë, dhe jemi në kushtet kur ata nuk plotësojnë më kriterin e reputacionit të lartë etik, i cili ndër të tjera konsideron që individi të mos jetë në ndjekje penale, në gjykim për vepra penale dhe i dënuar penalisht”, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.

Në vendimin e sotëm nënshkruar nga Guvernatori Gent Sejko thuhet se MCA-së, me ortaken e vetme Elda Ibro, tashmë në “arrest shtëpie” prej Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, i revokohet licenca për kryerjen e të gjitha formave të kredidhënies dhe shërbimet këshilluese, ndërmjetëse dhe shërbime të tjera ndihmëse për veprimtarinë e kredidhënies.

Ngjashëm iu revokua licenca edhe subjektit financiar jobankë “Final”, me ortakun e vetëm Arben Meskuti, tashmë në “arrest me burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, ndaj ky subjekt nuk mund të kryejë më veprimtaritë e qirasë financiare as të gjithë format e kredidhënies.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi gjatë një seance dëgjimore vetëm dy ditë më parë në komisionin parlamentar të ekonomisë dhe financave mbi subjektet financiare jobanka që blejnë kredi me probleme, se ndaj MCA-së janë paraqitur dhe trajtuar 85 ankesa në 7 vitet e licensimit. Pjesa më e madhe e ankesave lidhen me ekzekutimin e detyrueshëm nga përmbarimi, tha ai.

“Subjekti MCA u është nënshtruar rregullisht inspektimeve nga Banka e Shqipërisë, e cila në vitin 2022 ia pezulloi kredi-dhënien dhe blerjen e kredive të reja, pasi nuk zbatoi rekomandimet. Ndërsa në dhjetor 2023 Banka e Shqipërisë mori një masë më të rëndë pezullimi ndaj MCA-së, duke ia ndaluar veprimtaritë sipas licencës, përveç shitjes së portofolit në subjekte të tjerë, si dhe i kërkoi reflektimin e menjëhershëm me ulje të detyrimit në çdo pagesë të kryer nga klientët”, theksoi Guvernatori Sejko gjatë seancës dëgjimore me komisionin parlamentar të ekonomisë dhe financave.

MCA ka blerë portofole me një vlerë prej 9.6 miliardë lekë, nga të cilat është rekuperuar rreth 10% e tij. Micro Credit Albania ka aktualisht në portofolin e saj afro 15 mië e 942 klientë kredimarrës, nga të cilët 90 për qind kanë marrë një vendim gjykate mbi vlerën e detyrimit të kredimarrësit, ose janë në proces përmbarimor.

XS
SM
MD
LG