Svoboda | Graniru | BBC Russia | Golosameriki | Facebook

Lidhje

Kërcënimi nga Kina, ish-kreu i ushtrisë: Si duhet të mbrohet Tajvani?


Kërcënimi nga Kina, ish-kreu i ushtrisë: Si duhet të mbrohet Tajvani
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:40 0:00

Stërvitjet e fundit ushtarake të Kinës, që ishin një rrethim për Tajvanin, sipas analistëve nxjerrin në pah një sfidë themelore për ishullin e vogël të vetëqeverisur. Forcat e Tajvanit janë shumë të vogla për të përballuar ato të Kinës. Por ish-kreu i ushtrisë së Tajvanit thotë për Zërin e Amerikës se duhet një tjetër strategji mbrojtjeje për të ndryshuar ekuilibrat.

Ndërsa avionët dhe anijet luftarake kineze i janë afruar ishullit më shumë se kurrë më parë, Tajvani po bën gjithçka që mundet për të qëndruar në këmbë.

Por shumica e analistëve ushtarakë pajtohen: Tajvani nuk ka pothuajse asnjë shans të fitojë në një luftë me Kinën, buxheti ushtarak i Pekinit vlerësohet të jetë 22 herë më i madh. Për ish-Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Tajvanit, ishulli nuk duhet të përpiqet të shpenzojë më shumë se Kina, por të krijojë një strategji të mirë mbrojtjeje.

“Ne kemi burime shumë të kufizuara. Ne thjesht nuk mund të investojmë në asnjë aspekt që duam. Pra, sipas mendimit tim, ne duhet të përqendrohemi në kërcënimin ekzistencial”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Kërcënimi ekzistencial, sipas ish drejtuesit të ushtrisë së Tajvanit, është një pushtim, ose bllokadë kineze në shkallë të plotë. Për t’u mbrojtur, zoti Lee thotë se Tajvani duhet të ndryshojë strategjinë.

“Ne duhet t’u themi atyre nëse vërtet doni të na pushtoni, do të keni një humbje të madhe. Ju nuk mund ta përballoni atë”, thotë ai.

Zoti Lee, i cili deri në vitin 2019 ka drejtuar ushtrinë e ishullit të vetëqeverisur, është mbështetësi kryesor i të ashtuquajturës “mbrojtje asimetrike”, e cila përfshin sasi të mëdha armësh të vogla.

Dhe për të treguar se strategjia e tij funksionin, ai përmend shembullin e Ukrainës, ku këto lloj armësh kanë qenë shumë të suksesshme kundër ushtrisë shumë më të madhe ruse.

Sipas tij problemi është se Tajvani shpenzon pjesën më të madhe të burimeve të tij të kufizuara në avionë luftarakë dhe tanke.

“Jam i shqetësuar se gjeneralët tanë po përgatiten për një mbrojtje të gabuar. Nëse i investojmë paratë tona në këto lloj avionësh luftarakë, anije luftarake ose tanke të avancuara, nuk ka dyshim se do të dështojmë”, thotë zoti Lee për Zërin e Amerikës.

Një faktor tjetër është ushtria amerikane, për të cilën presidenti Joe Biden ka këmbëngulur se do të mbronte Tajvanin. Por gjatë stërvitjeve të fundit të Kinës, aeroplanmbajtëset amerikane qëndruan relativisht larg, sipas analistëve.

Zoti Lee thotë se këto mesazhe të përziera mund të minojnë besimin e Tajvanit në mbështetjen e SHBA. Ai këmbëngul që Tajvani të marrë mjetet e nevojshme për t’u mbrojtur.

“I bëj thirrje qeverisë sonë të bëjë gjithçka që mundemi për të zhvilluar aftësi asimetrike”, thotë ai, duke theksuar se nëse Tajvani armatoset, çdo vendim i Kinës do të mendohej disa herë.

XS
SM
MD
LG