Svoboda | Graniru | BBC Russia | Golosameriki | Facebook

Lidhje

Shqipëri, bashkitë përballë sfidave në menaxhimin e financave


TIRANA ALBANIA
TIRANA ALBANIA

Në Shqipëri, situata financiare e njësive vendore paraqet sfida për të ardhmen, edhe pse ajo është përmirësuar krahasuar me 8 vite më parë, kur u miratua reforma territoriale - administrative. Ekspertë të pushtetit vendor konstatojnë se detyrimet e prapambetura, ku bëhet fjalë për pagesa të pakryera kryesisht për investime, përbëjnë shqetësim për të paktën 18 nga 61 bashki. Mjaft prej tyre i kanë thelluar ato në vitin 2022, dhe për studiuesit në një vit paraelektoral, kjo mund të fshehë qëllimin për të ndikuar te votuesit. Probleme me detyrimet e prapambetura, shfaqin sipas tyre edhe disa bashki, financat e të cilave nuk rrezikohen nga këto detyrime.

Shqipëri, bashkitë përballë sfidave në menaxhimin e financave
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:40 0:00

Në Shqipëri të dielën pritet të mbahen zgjedhjet vendore për kryetar të bashkive dhe këshillave bashkiakë në 61 bashki të vendit. Këto janë zgjedhjet e treta që prej miratimit të reformës territorial- administrative, në vitin 2014, pas së cilës u evidentuan për herë të parë detyrimet e prapambetura të njësive vendore, që në atë kohë kapnin shifrën e 12 miliardë lekëve, ose rreth 107 milionë euro. Bëhet fjalë për pagesa të pakryera në pjesën më të madhe për investime, si dhe ndër të tjera për mallra, shërbime dhe vendime gjyqësore. Pas 8 vitesh stoku i këtyre detyrimeve ka ardhur në ulje progresive duke u përgjysmuar. Por sipas ekspertëve kjo është vetëm panorama e përgjithshme.

“Nëse analizojmë shifrat në totalin e tyre, kemi këtë përfundim, por nëse shohim bashki të veçanta, rezultatet ndryshojnë. Dallojmë bashki të cilat e kanë rritur borxhin. Ato janë në total 15 nga 61 bashki”- tha për Zërin e Amerikës Aida Cacaj, eksperte e pushtetit vendor, në Institutin për Bashkitë e Shqipërisë.

Aktualisht pak më shumë se 1/3-ta e bashkive, rezulton në vështirësi dhe me probleme financiare, për shkak të këtyre pagesave të pakryera, shpjegojnë ekspertët. Por edhe pse në vështirësi serioze financiare, 10 prej tyre, sipas të dhënave zyrtare, e kanë rritur stokun në vitin 2022, krahasuar me vitin paraardhës, shumica, pjesën më të madhe të tij e kanë shtuar në zërin e investimeve. Ekspertët vënë re, se në një vit paraelektoral kjo mund të ketë qëllim për të ndikuar te votuesit. Shembulli tipik sipas tyre është bashkia e Pustecit. Thuajse i gjithë detyrimi i saj është krijuar në vitin 2022 pikërisht për investime.

“Detyrimet nuk duhet të krijohen për një arsye shumë të thjeshtë, sepse fillimisht duhen buxhetuar shpenzimet që janë kryer ose faturat, dhe pastaj mund të hapen projekte të reja. Nëse fillon shpenzon më shumë lekë sesa ke buxhetuar, duke krijuar detyrime të prapambetura, automatikisht je duke ndikuar padrejtësisht dhe në fushatën elektorale” – u shpreh për Zërin e Amerikës Azmi Stringa, Pedagog i financës në Universitetin e “New York”,Tiranë .

Detyrimet e prapambetura të bashkive konsiderohen problematike sipas ligjit për financat e vetëqeverisjes vendore, kur kapin një vlerë nga 15 -80%, të shpenzimeve të njësive vendore. Në këtë kategori sipas Institutit për Bashkitë e Shqipërisë aktualisht hyjnë 18 nga 61 bashki në vend, ku ndër më problematiket ato të Kavajës, Vorës, Dibrës dhe Cërrikut. Alarmi i kuq bie për bashkinë e Pustecit. Detyrimet e saj të prapambetura e kalojnë pragun 80% të shpenzimeve, dhe ajo konsiderohet nga ekspertët në pamundësi pagese. Njohësit e pushtetit vendor, shohin probleme serioze edhe në bashki të tjera, financat e të cilave nuk rrezikohen nga detyrimet e prapambetura, siç është rasti i Bashkisë së Tiranës. Kjo bashki i ka shtuar këto detyrime me 80% për vitin 2022, duke arritur shifrën e 1 miliardë e 179 milionë lekëve, ose afërisht 10 milionë e 500 mijë euro.

Ajo që shqetëson ekspertët lidhet me kategorinë ku janë shtuar më së shumti këto detyrime, që sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave klasifikohen tek zëri “të tjera”.

“Shpenzimet në zërin “të tjera”janë si një thes shpenzimesh që ne nuk arrijmë t’i deshifrojmë nga të dhënat që janë vendosur në dispozicion nga Ministria e Financave”- u shpreh për Zërin e Amerikës Merita Toska, eksperte për financat publike, Co-PLAN.

Sipas Ministrisë së Financave, në vitin 2022 Bashkia e Tiranës i ka pesëfishuar detyrimet e prapambetura të përfshira në zërin “të tjera.” Bëhet fjalë për rreth 5 milionë e 800 mijë euro më shumë se sa një vit më parë. Një shifër të lartë, prej 4 milionë e 600 mijë eurosh detyrime të prapambetura në të njëjtin zë, ose 60 % të totalit të detyrimeve të prapambetura të saj, ka edhe bashkia e Kavajës, por e pandryshuar në dy vitet e fundit.

“Unë nuk do doja të prisja 20 të tjera për një pjesë aq të madhe siç është në rastin e Bashkisë së Tiranës, por ta kisha të definuar dhe të detajuar se ku janë zërat. Pra kjo është një gjë që kërkon transparencë dhe transparenca është elementi kryesor i llogaridhënies”- vijoi Azmi Stringa, Pedagog i financës në Universitetin e “New York”,Tiranë.

E pyetur nga Zëri i Amerikës, se cila është arsyeja e rritjes së detyrimeve të prapambetura, në vitin 2022, natyra e tyre dhe se çfarë përfshin zëri “të tjera”, Bashkia e Tiranës nuk u përgjigj, deri në publikimin e këtij materiali. Nga ana e saj Ministria e Financave sqaroi se ky zë përfshin fatura provizore të karburanteve, detyrime për energjinë elektrike, por edhe në përgjigjen e saj ka një “etj”. Ministria thotë se ky zë ka përshkrime të ndryshme në bashki të ndryshme.

Reforma territoriale, 8 vjet më parë solli reduktim të ndjeshëm të njësive vendore, dhe sipas ekspertëve detyrimet e prapambetura të bashkive u trashëguan më së shumti nga komunat që u shkrinë. Por edhe pse këto

detyrime janë përgjysmuar në përgjithësi, vetëm dy bashki si ajo e Këlcyrës dhe Patosit, ja kanë dalë të mos kenë asnjë detyrim të prapambetur për vitin 2022, ndërsa disa bashki të tjera si, ajo e Shkodrës, Korçës, apo Kolonjës kanë shifra të papërfillshme. Shqetësim për ekspertët, mbetet krijimi i stoqeve të reja në vijimësi. Sipas tyre kjo tregon ende dobësi serioze në menaxhimin e financave nga njësitë vendore.

XS
SM
MD
LG