Svoboda | Graniru | BBC Russia | Golosameriki | Facebook

Lidhje

Birjana Skuqi, vajza që la bankën për kuzhinën tradicionale


Birjana Skuqi
Birjana Skuqi

Në Shqipëri mjaft të rinj dhe të reja, kanë zgjedhur të ngrenë biznese të ndryshme duke u bazuar në traditat e së shkuarës. Në fshatin Çetë të qytetit të Kavajës, Birjana Skuqi, një vajzë e re nga ky qytet, braktisi punën në një institucion bankar dhe mes paragjykimeve të shumta vendosi t’i përkushtohet gatimeve tradicionale në biznesin familjar. Ajo po ndjek pasionin e saj në harmoni me atë që ofron me bujari natyra dhe trashëgimia kulturore e zonës.

Shqipëri; Birjana Skuqi, vajza që la bankën për kuzhinën tradicionale
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:14 0:00

Në një kodrinë mes ullinjve rreth 200 vjeçar, në periferi të qytetit të Kavajës, Birjana, një vajzë e re, prej 4 vitesh po realizon pasionin e saj për kuzhinën tradicionale. Nuk ishte e lehtë për të, të vinte deri këtu, pasi fillimisht ishte nisur drejt një destinacioni tjetër profesional. Vajza e lindur dhe rritur në Kavajë, e shkolluar në Tiranë për financë bankë, e ushtroi disa vite profesionin e saj në një institucion bankar derisa vendosi ta braktisë dhe t’i bashkohet fillesave të këtij biznesi familjar. Ajo ishte e vendosur për këtë, por jo ata që e rrethonin.

“Vendosa të lë punën në bankë, për t’ju bashkuar biznesit të familjes së bashkëshortit tim. Puna në bankë nuk ishte shumë inkurajuese për mua. U përballa me mentalitetin i cili këtu te ne të lë pas “jo një gocë e shkolluar si do futet në kuzhinë”, apo pjesa e familjes, që kishte investuar për shkollimin, por unë kam vendosur të ndjek dëshirën time. Merrem me pjesën e kuzhinës, me menaxhimin, të gjitha nga pak”- u shpreh për Zërin e Amerikës Birjana Skuqi, menaxhare e Hanit të Çetës, Kavajë.

Bashkë me bashkëshortin Fabio Skuqi, i cili ka studiuar në degën e inxhinierisë informatike, dhe sot është në krah të Birjanës, në kuzhinën e Hanit të Çetës, ajo zgjodhi mes vështirësive të guxojë dhe të ecë para në një rrugë të re, të bukur por dhe krejt të panjohur për të. Ata vijnë nga dy familje kavajase që në këto 30 vite kanë zhvilluar disa biznese.

Fabiodhe Birjana ndryshe nga ata të rinj që zgjedhin të largohen nga Shqipëria, vendosën të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre. Tradita familjare e ruajtur dhe e përcjellë nga nënat është baza e gatimeve.

“Janë gatime tradicionale që ne i kemi bërë në shtëpitë tona, byreku me qumësht, kabunia, siç i janë gatuar në qytetin tonë, në familjet tona, siç i gatuante mamaja ime dhe ajo e bashkëshortit tim. Jam fanatike e gatimeve tradicionale”- vijoi rrëfimin Birjana Skuqi menaxhare e Hanit të Çetës, Kavajë.

Të kesh sa më shumë gra rreth vetes, për Birjanën është gjithmonë besim, siguri. Ndaj ajo ka afruar rreth vetes disa zonja të zonës, që i janë bashkuar dhe ndajnë punët së bashku. Vera gjithashtu, është ndeshur me mentalitetin se puna për të në kuzhinë, nuk ishte e duhura për një grua, por e ka sfiduar atë.

“ U përshtatëm shumë me punën, me stafin me të gjithë. E përballuam shumë mirë”- u shpreh Vera Zogolli, punonjëse në Hanin e Çetës.

“ Në fillim ishte shumë e vështirë që gratë e zonës të vinin të punonin në kuzhinë për shkak të mentalitetit, paragjykimeve nga familja dhe komishnjtë. U mundova t’i bind dhe të ofroj më të mirën. Sot jemi 4 gra që punojmë”- thotë Birjana Skuqi menaxhare e Hanit të Çetës, Kavajë.

Pati shumë skpetikë jo vetëm për ndryshimin e beftë të profesionit të Birjanës, por edhe për investimin, në zonën Çetë të qytetit të Kavajës, ku më herët asgjë e ngjashme, nuk ish zhvilluar. Por sot ky biznes familjar që ka në thelb dorën e një gruaje, ka bërë që mjaft vizitorë vendas dhe të huaj, të eksplorojnë dhe atë që ofron me bujari natyra dhe trashëgimia kulturore e zonës. Vetëm pak metra më larg ndodhet një prej kishave më unike në vendin tonë, romano-gotike, ajo e Shën Premtes.

“Kishte shumë skeptikë, për vendndodhjen e Hanit të Çetës, por unë jam e bindur se në harmoni me natyrën në ditët e sotme është një

gjë mjaft e bukur”- u shpreh Birjana Skuqi menaxhare e Hanit të Çetës, Kavajë.

Birjana synon së shpejti të krijojë një bashkëpunim me shoqatën e grave artizane të sapokrijuar në qytetin e Kavajës, me qëllim për të ndërtuar një kënd muzeal etnografik në ambjentet e biznesit. Ajo po zhvillon me dashuri dhe fanatizëm në disa drejtime traditën e zonës. Birjana është besnike dhe nuk joshet dhe as tundohet nga vërshimet e larmishme gastronomike në përgjithësi. Është e bindur se guximi dhe pasioni për punën do e çojë para ashtu si deri tani. Këtë herë ajo është e sigurt se nuk do ta ndërrojë sërish profesionin, pasi të sjellësh në kohët e sotme trashëgiminë e të parëve, në harmoni me natyrën dhe vlerat kulturore përqark, për të është profesioni i saj i vërtetë.

XS
SM
MD
LG