Svoboda | Graniru | BBC Russia | Golosameriki | Facebook

Lidhje

Shqipëri, Kujtime Karoshi një grua që frymëzohet nga tradita dhe natyra në Dibër


Papunësia në qarkun e Dibrës është rritur gjatë viteve të fundit. Kjo situatë ka rënduar më së shumti gratë. Por edhe pse në një zonë me zhvillim ekonomik të dobët, disa prej tyre ja kanë dalë të vjelin të ardhura, duke u mbështetur në atë që ofron më bujari tradita dhe natyra.

Kujtime Karoshi është një prej tyre, e cila po çon përpara traditën e familjes së saj në prodhimin e jufkave tradicionale. Ajo e mbështetur edhe nga gratë e vajzat e familjes së saj të madhe shfrytëzon përveç traditës çdo burim natyror të zonës, dhe i kthen ato në të mira materiale për familjen.

Shqipëri, Kujtime Karoshi një grua që frymëzohet nga tradita në Dibër
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:08 0:00


Të jesh grua në një zonë të largët të vendit, me zhvillim ekonomik të dobët si në Dibër, nuk është diçka e lehtë. Mundësitë e pakta në punësimin e grave në këtë rajon të thellë të vendit, ku bujqësia dhe blegtoria zë rol kryesor, bëjnë që ato të jenë kryesisht të varura nga puna e burrave. Por disa prej tyre, sidomos në dekadën e fundit po e kapërcejnë këtë hendek të madh gjinor në plotësimin e nevojave familjare. Kujtime Karoshi është një prej tyre, e cila dhjetë vjet më parë, falë insistimit të saj, mbështetur kryekpeut në traditën familjare dhe të zonës, nisi në sasi të pakta prodhimin e jufkave, të cilat në zonën e Dibrës janë prodhuar prej qindra vitesh.

“Në fillimet e mia unë kam qenë shumë e vogël. Në familjen ku jam rritur bënim ato që quhen zahiretë e dimrit. Mamaja mblidhte nënën, tezet, hallat në shtëpi. Ndjeja kënaqësi se ishim duke bërë jufka, trahana, bungur, çdo gjë që ishte tradicionale që i bënin prindërit tanë. Edhe ajo gjë bëri që edhe unë sot t’i mbledh. Se dhe unë vetëm me vajzat e mia mund të punoj, po kur mblidhemi me nuset e vëllezërve, me motrat, me nënën, është një dashuri dhe
kënaqësi më vete
”- u shpreh për Zërin e Ameriës Kujtime Karoshi, prodhuese e jufkave tradicionale në Dibër.

Situata e grave në Dibër është vështirësuar vitet e fundit. Qarku i Dibrës, sipas Instat, ka shkallën më të ulët të punësimit në vend, pas Lezhës. Në vitin 2022 në këtë qark numri i të papunëve u rrit me afro 4 mijë ose 81%, krahasuar me vitin 2019, 65 % e tyre gra. Megjithatë Kujtime Karoshi mendon se resurset që ofron zona janë të shumta dhe duhen shfrytëzuar. Përveç prodhimit të jufkave ajo ka kthyer në të mira materiale për familjen edhe disa burime natyrore të zonës, që nga bimët medicinale, dhe ato që përdoren në kuzhinë apo pemë të egra si qershia dhe mollë për prodhimin e kompostove.

“Është turp me thënë në zona të tjera që ne jemi të varfër, sepse ne kemi shumë burime natyrore. Kemi bimë medicinale, vetëm këtu kur shohim përqark kemi qumështoren, bishtin e minit, kemi gjethin e dellit, kemi shumë bimë që unë i kam mbledhur me shumë dëshirë, me shumë pasion, për të ardhurat e familjes time. Ne e kemi trashëgim nga prindërit, që pa punë nuk arrihet asgjë”- vijoi Kujtime Karoshi, prodhuese e jufkave tradicionale.

Kujtimja vjen nga një familje, ku gruaja ka patur rol të rendësishëm në mbarëvajtjen e saj. Nëna e saj, Manushaqe Toska, e mbështjellë nga dashuria e brezave, e vajzave, mbesave dhe e bashkëshorteve të djemve, nxit dhe frymëzon traditën me shumë krenari.

“U ka lindur në zemër edhe këtyre, jo se dua unë. Si vajzat ashtu edhe nuset ma dëgjojnë fjalën. Unë e trashëgoj nga nëna përgatitjen e jufkave. Kemi qenë familje e madhe prej 35 vetësh. Këtu në këtë sofër ne jemi tre breza që i përgatisim. Ju kam mësuar punën dhe kemi arrit që i bëjmë çdo punë bashkë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Manushaqe Toska, nëna e Kujtimes.

Në familjen e nënës Manushaqe, ka shumë duar e mendje grash dhe vajzash. Të gjitha bashkë ato dinë të çojnë para traditën e zonës. Janë të qeshura, të gëzuara dhë gjithnjë me besim tek vetja. Këtë besim zonjës Kujtime ja shton edhe më shumë vajza e saj Ahmedie, që e ka në krah në çdo punë që bën.

“Kam qenë shumë e vogël kur fillova të bëj jufkat, shikoja dy motrat e mija më të mëdhaja si punonin. Në fillim punonim në një sofër por shkopinj nuk kishim. Kishim vetëm për të mëdhenjtë. Unë merrja një lugë druri dhe punoja këtu në anë të sofrës. Traditën e mamit dua që ta vazhdoj edhe kur të dal në jetën time, kur të kem familjen time”- u shpreh Ahmedie Karoshi, vajza e Kujtimes.

Në sofrën ku hapen petët për jufkat janë dhe dy duar, më të voglat, në këtë sofër të madhe. Ato janë të Danjelës 9 vjeçare, mbesës së Kujtimes, e cila në mënyrë krejt të natyrshme është pjesë e zjarrit që mban ndezur traditën në këtë familje të madhe.

“Këtë e kam mësuar me dëshirë dhe dua shumë që ta vazhdoj. Më pëlqejnë shumë gatimet tradicionale që halla ime i gatuan si jufka me pulë, fli me rende, gjithçka”- thotë Danjela Toska, mbesa e Kujtimes.

Asnjëra prej këtyre grave dhe vajzave nuk ankohet as për burimet e pakta në zonë, në shërbim të grave, as për munësitë e kufizuara të punësimit, madje ja kanë dalë të zhbëjnë dhe mentalitetin që është kundër tyre.

“Ne gratë këtu nuk mund të arrijmë asgjë vetë, jemi shumë të varura nga burrat. Ata kanë mentalitetin e tyre që nuk I ndihmon gratë në atë që ato duan të arrijnë. Unë nuk mund të rri të punojë një njeri edhe të mbajë gjithë familjen, sepse po nuk punuam të dy nuk ecet përpara. Jam shumë e kënaqur dhe me këmbënguljen time dhe me përkrahjen e burrit, sepse pa përkrahjen e tij, nuk do isha këtu ku jam. Në fillim ishte e vështirë se dhe ai kishte mentalitetin e
tij, por pastaj unë ja arrita me këmbënguljen time”
- vijoi Kujtime Karoshi, prodhuese e jufkave tradicionale në Dibër.

Kujtimja, dëshiron që ta vazhdojë traditën e prodhimit të jufkave në mënyrë artizanale, duke ndërtuar një punishte të vogël, me qëllim që të punësojë gra të zonës. Në këtë nisëm ajo mbështetet nga tre vajzat e saj, të cilat kanë kryer shkolla profesionale, në degët ekonomi - biznes dhe teknologji ushqimore. Kanë zgjedhur këto degë me qëllim për të zhvilluar nismën e nënës së tyre. Sot Kujtimja ka një treg të kufizuar shitjesh por në të ardhmen shpreson ta zgjerojë. Dy prej vajzave të saj jetojnë përkohësisht në Greqi dhe Itali. Dhe shumë shpejt - thotë ajo - ato do të kthehen për të ndërtuar jetën këtu në Dibër.

“Qëllimi i hapjes së punishtes është që unë të ofroj punë për gratë që janë të interesuara të punojnë në prodhimin e jufkave tradicionale dhe të ndjekin traditën”- thotë Kujtime Karoshi, prodhuese e jufkave tradicionale në Dibër.

Në bisedën e gjatë me Kujtimen, arrin të kuptosh se si ja del një grua, jo vetëm të ecë para vetë, por dhe të terheqë rreth vetes edhe një zinxhir vlerash dhe traditash qindra vjeçare. Për të, nëse vendos punën në krah të fatit, ky i fundit buzëqesh gjithmonë. Edhe pse jo me fitime të shumta, larmia e punëve të ndryshme që ajo kryen gjatë gjithë vitit, gjithshka e mbështetur në atë që i afron me bujari tradita dhe natyra, e ka bërë Kujtimen ta shohë më guxim dhe besim të ardhmen. Ajo ka ditur të ndërtojë të tashmen e saj, këtu në Dibër, dhe të projektojë ëndrrën, në një luginë buzë Drinit të Zi, nga më të bukurat e Shqipërisë, një shteg udhëtarësh dhe turistësh të shumtë.

“Me dëshirën time e kam që të hap dhe një bujtinë në fshatin Fushalie. Kemi Drinin e Zi shumë afër. Aty kalojnë shumë turistë. Dua të qetësohem në fshatin prej nga është bashkëshorti im, dhe përvec kësaj të vazhdoj dhe prodhimin e jufkave tradicionale”- u shpreh Kujtime Karoshi, prodhuese e jufkave tradicionale në Dibër.

XS
SM
MD
LG