Svoboda | Graniru | BBC Russia | Golosameriki | Facebook

Lidhje

SHBA, Dita e Presidentëve nderon sukseset dhe udhëheqësit amerikanë


Dita e Presidentëve në Shtetet e Bashkuara/AP
Dita e Presidentëve në Shtetet e Bashkuara/AP

Dita e Presidentëve është një festë amerikane që shënohet të hënën e tretë të muajit shkurt për të nderuar ditëlindjet e Presidentëve George Washington (22 shkurt) dhe Abraham Lincoln (12 shkurt). Këtë vit kjo festë shënohet me 19 shkurt.

Festa nderon kontributet e dy presidentëve, të cilët udhëhoqën Shtetet e Bashkuara gjatë dy periudha më të trazuara të vendit në histori – Revolucionit Amerikan dhe Luftës Civile. Por ajo është një rast për të shënuar edhe sukseset e presidentëve tjerë amerikanë.

Ndonëse ajo njihet për të gjithë si Dita e Presidentëve, zyrtarisht festa quhet Ditëlindja e Washingtonit. Disa thonë se kjo festë duhet t’i kushtohet vetëm nderimit të sukseseve të Presidentit Washington dhe jo të gjithëve presidentëve amerikanë.

Shumë ceremoni publike organizohen nëpër të gjithë vendin për të shënuar këtë festë.
Në vazhdim, sjellim disa fakte për këtë festë në Shtete të Bashkuara.

Historia prapa Ditës së Presidentëve

Kjo festë e ka zanafillën tek festimi i ditëlindjes së Presidentit Washington. Ndonëse shumë e festuan ditëlindjen e tij sa ishte gjallë, festa kombëtare e ditëlindjes së tij vazhdoi edhe pas vdekjes së tij. Në vitin 1879, ditëlindja e tij u zyrtarizua si festë federale, por vetëm në kryeqytetin Uashington. Ajo filloi të shënohej nga të gjithë punonjësit federalë në vitin 1885.

Deri në vitin 1968, kjo ditë u shënua në datën e saktë të ditëlindjes së Presidentit Washington. Pastaj me vendimin e Kongresit amerikan për festat kombëtare, Dita e Presidentëve, krahas disa festive tjera federale, u vendos të shënohet ditën e hënë. Ligji hyri në fuqi në vitin 1971.

Qëllimi i ligjit ishte t’u mundësonte punonjëve federalë amerikanë më shumë pushime tre-ditore gjatë vitit, por disa kundërshtuan këtë ndryshim, duke argumentuar se festa duhej shënuar në ditën e lindjes së Presidentit Washington.

Ndërkohë që projekt-ligji po debatohej në Dhomëve e Përfaqësuesve, disa u përpoqën ta ndryshojnë emrin e festës duke e kthyer në Ditën e Presidentëve, që të përfshinte edhe nderimet për arritjet e Presidentit amerikan Abraham Lincoln, ditëlindja e të cilit është në muajin shkurt.

Ndryshimi i emrit të festës nuk u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve, por nga ai moment ajo filloi të quhej në përdorimin e përditshëm si Dita e Presidentëve. Ky emër për festën u përforcua nga bizneset që bëjnë ulje çmimesh të veçanta gjatë fundjavës së kësaj feste.

Traditat e Ditës së Presidentëve

Sipas Shoqatës Historike të Shtëpisë së Bardhë, presidentët përgjatë historisë amerikane kanë shënuar ditëlindjet e Presidentëve Washington dhe Lincoln në forma të ndryshme. Për shembull, Presidenti Andrew Jackson festoi ditëlindjen e Presidentit Washington në vitin 1837 duke ndarë me miqtë një rrotë djathi që peshonte 635 kilogramë.

Në vitin 1931, Presidenti Herbert Hoover iu drejtua kombit përmes një fjalimi të transmetuar në radio për të shënuar ditëlindjen e Presidentit Lincoln, ndërkaq Presidenti Lyndon B. Johnson në vitin 1965 shtroi një drekë për nder të Ditës së Presidentit Lincoln në Shtëpinë e Bardhë.

Në vitin 2015, Presidenti Barack Obama shënoi këtë ditë duke përditësuar faqet e internetit të Shtëpisë së Bardhë me profilin e secilit president amerikan për të mundësuar mësimin e historisë së tyre.

Për publikun e gjerë, Dita e Presidentëve shënohet përmes ceremonive të ndryshme nëpër tërë vendin. Ndër traditat më të njohura janë parada për Ditën e Presidentëve që mbahet në Aleksandri të shtetit të Virxhinias, në afërsi të rezidencës së Presidentit Washingtoni në Mount Vernon.

Përveç paradave, shumë njerëz vizitojnë monumentet kombëtare që u kushtohen Presidentëve Washington dhe Lincoln. Në Ditën e Presidentëve, në Mount Vernon ofrohen vizita pa pagesë së shtëpisë së Presidentit Washington.

Shumë biznese ofrojnë ulje çmimesh për nder të Ditës së Presidentëve.

XS
SM
MD
LG