Svoboda | Graniru | BBC Russia | Golosameriki | Facebook

Lidhje

Kosova kalon hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës


Komisioni për politikë dhe demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miratoi të mërkurën raportin për Kosovën, duke u hapur rrugën hapave të ardhshëm drejt anëtarësimit në këtë Këshill.

Me 31 vota për, katër vota kundër dhe një abstenim, komisioni rekomandoi që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

Pas vendimit të sotëm të Komisionit, Asambleja parlamentare pritet të votojë gjatë muajit prill ndërsa vendimi përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës pritet në muajin maj, në Këshillin e Ministrave të këtij mekanizmi.

Në një deklaratë të publikuar nga Komiteti thuhet se ai mirëpret një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës dhe vë në dukje se “anëtarësimi do të çonte drejt forcimit të standardeve të të drejtave të njeriut duke siguruar qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të gjithë ata që janë nën juridiksionin e Kosovës”.

Sipas Komitetit, anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i mundësonte Kosovës të vazhdojë të bëjë përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe të trajtojë sfidat e pazgjidhura dhe çështjet shqetësuese.

Komisioni e vlerësoi si “një përparim të madh” zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e manastirit të Deçanit, duke nënvizuar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, që do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës dhe që shpronësimet duhet të kryhen “me respektimin më të rreptë të ligjit” dhe në përputhje të plotë me planin e (Martti) Ahtisaarit.

Komisioni tërheq vërejtjen për rrezikun e dhunës së mundshme në Kosovë ndërsa thekson se siguria do të varet nga “mbrojtja e të drejtave të komunitetit serb, shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Duke pranuar “rrethanat e papashembullta” të aplikimit, duke pasur parasysh se një numër vendesh anëtare të Këshillit të Evropës nuk e njohin Kosovën si shtet, komiteti bëri thirrje për “diplomaci, dialog dhe kompromis” dhe ftoi Komitetin e ministrave të sigurojë që anëtarësimi i Kosovës të jetë “pa paragjykim ndaj qëndrimeve të shteteve anëtare individuale sa i përket shtetësisë së Kosovës”, thuhet në deklaratën e Komisionit për politikë dhe demokraci të Asamblesë Parlamentare duke nënvizuar se komisioni do të vëzhgojë Kosovën për të siguruar respektimin e zotimeve dhe detyrimeve që nga anëtarësimi i saj.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës në prill të vitit 2022.

Procesi ishte bllokuar për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pronave të Manastirit të Deçanit. Dy javë më parë qeveria e Kosovës njohu pronën prej rreth 24 hektarësh të manastirit, duke i hapur rrugën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se autoritetet “do të vazhdojnë të punojmë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të kenë të drejtë në instrumentet e Këshillit të Evropës përmes anëtarësimit të plotë të Kosovës”.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme Kreshnik Ahmeti, shkroi në rrjetet sociale se “të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”.

Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë këshill dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar edhe mundësinë e largimit të saj nëse Kosova bëhet anëtare, ndonëse në marrëveshjen e arritur një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër, të dyja palët zotohen se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Këshilli i Evropës, themeluar në 1949 është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.

XS
SM
MD
LG