Svoboda | Graniru | BBC Russia | Golosameriki | Facebook

Lidhje

Nevoja e zgjidhjeve inovative për një turizëm të qendrueshëm


Në konferencën “Zgjidhje inovative për turizëm të qëndrueshem”, të mbajtur në Universitetin e Shkodrës, u tha se zhvillimi me ritme të shpejta i sektorit të turizmit ka nxjerrë në pah nevojën e ideve inovative për të përballuar fluksin në rritje të turistëve, duke zhvilluar një turizëm të qëndrueshëm që ruan vlerat e natyrës.

Nevoja e zgjidhjeve inovative për një turizëm të qendrueshëm
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

Gjatë vitit të kaluar Shqipërinë e vizituan 10.1 milion vizitorë ndërsa, në dy muajt e parë të këtij viti, sipas Ministrisë së Turizmit, numri i vizitorëve të huaj u rrit me 55 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këtyre ritmeve, sipas drejtueses së departamentit të turizmit në Universitetin e Shkodrës, Mirjan Dibra, u duhet përgjigjur me ide inovative.


“Këto ide inovative shtojnë pëlqyeshmërinë turistike të vendit tonë dhe bëjnë të mundur që të jemi konkurues. Të japim ide që të jemi konkurues me vendet e tjera dhe të bëjmë të mundur zgjatjen e sezonit turistik”.

Sanida Kraja dhe Benida Beqiri janë dy nga katër të rinjtë që kanë krijuar kompaninë “PikHost”. Ato thonë se, për shkak të emigracionit, është i lartë numri i banesave që vazhdojnë të jenë të mbyllura. Kjo i nxiti ato që, përmes kontratave me pronarët, të bëjnë menaxhimin afatshkurtër të pronave të lira, duke i marrë me qera dhe duke ofruar shërbime mikpritje të nivelit të lartë për vizitorët e huaj.

“Unë mendoj që në harkun kohor 5 vjeçar ne nuk kemi për të qenë në gjendje për të përballu numrin e madh të turistëve nëse nuk gjejmë zgjidhje inovative. Vetëm ne mund ta prishim këtë gjë të bukur që është duke u ndërtu në fushën e turizmit. Prandaj, jemi këtu për të tregu se si e kemi ndërtu projektin tonë “PikHost”, mënyrën se si po angazhohemi për ta çu përpara turizmin dhe idenë që ai të shtrihet në kohë”.

Në konferencën “Zgjidhje inovative për turizëm të qëndrueshëm” paraqitën idetë e tyre edhe 10 studentë të masterit shkencor në degën e turizmit, mes të cilëve edhe studenti Luan Hysa.

“Këto metoda që kemi përzgjedhur nga përvoja ndërkombëtare, janë lehtësisht të zbatueshme në Shqipëri, i kanë të gjitha kushtet, vetëm se duhet të punohet më shumë tek pjesa e unifikimit të bizneseve shqiptare. Bashkëpunimi i tyre me shtetin dhe pranimi i këtyre metodave, që të mos i shikojnë si diçka e huaj, por t’i mirëpresin”.

Ndonëse një dimër me shumë pak dëborë edhe turizmi malor vazhdon të ketë një rritje të ndjeshme. Alpet e Shqipërisë, me Valbonën, Thethin, Lëpushën dhe Vermoshin janë pjesë e guidave turistike. Drejtuesja e agjencise turistike “Nord Albania”, Roza Rupa, thotë se interesimi i vizitorëve të huaj është i madh, por është e nevojshme që këto zona të zhvillohen duke mbrojtur mjedisin natyror.

“Kushti numër një për zhvillimin e një destinacioni turistik, duke iu referu gjithmonë tipareve natyrore, historikut të zonës, është zhvillimi i pronës private, por gjithmonë duke iu referu ligjeve në fuqi për mbrojtjen e natyrës dhe të parqeve kombëtare, siç është edhe Thethi”.

Megjithëse kanë mbetur më shumë se dy muaj nga çelja e sezonit të ri turistik veror, shumica e hotelerive tashmë i kanë përmbyllur rezervimet. Megjithatë mbetet për të parë se sa biznesi i turizmit shqiptar ka arritur të ruaj dhe zhvillojë më tej përvojën e vitit të kaluar, kur një numër rekord turistësh vizitoi Shqipërinë joshur nga bukuritë natyrore, ushqimi dhe mikpritja.

XS
SM
MD
LG