Svoboda | Graniru | BBC Russia | Golosameriki | Facebook

Lidhje

Ukraina do të ketë 10 herë më pak armatim se Rusia brenda pak javëve, nëse nuk merr ndihmën amerikane


Komandati suprem i forcave aleate në Evropë, gjenerali amerikan Christopher Cavoli
Komandati suprem i forcave aleate në Evropë, gjenerali amerikan Christopher Cavoli

UASHINGTON – Komandanti i forcave amerikane në Evropë i tha Kongresit të mërkurën se Ukraina do të ketë 10 herë më pak armatim se Rusia brenda pak javëve, nëse Kongresi nuk gjen një mënyrë që të miratojë dërgimin së shpejti të armatimeve të mëtejshme për Kievin.

Gjenerali Christopher Cavoli, kreu i komandës amerikane në Evropë, dhe Celeste Wallander, ndihmës sekretare e mbrojtjes për çështjet e sigurisë ndërkombëtare, dhanë dëshmitë e tyre në Kongres në një periudhë kyçe të përpjekjeve për një votim të mundshëm të ndihmës për Ukrainën, ndërsa nuk ka ndonjë garanci se niveli i ndihmës do të rritet.

Ukraina ka filluar futjen në përdorim me kuota të municioneve, ndërsa Kongresi amerikan ka vonuar miratimin e një projektligji për ndihma shtesë prej 60 miliardë dollarësh.

“Aktualisht pala ruse përdor pesë herë më shumë municione. Pra, rusët përdorin predha artilerie pesë herë më shumë se ukrainasit. Kjo do të arrijë menjëherë në 10 me 1 për pak javë”, tha gjenerali Cavoli. “Nuk po flasim për muaj. Nuk po flasim në mënyrë hipotetike”.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson është përpjekur të gjejë një mënyrë për të zhbllokuar procesin e shqyrtimit të projektligjit që do të financionte prodhimin e municioneve të reja nga kompanitë amerikane, duke i dhënë kështu Pentagonit mundësinë që të dërgojë municione të mëtejshme në Ukrainë. Zoti Johnson po bën përpjekje për ta paraqitur projektligjin për votim në Dhomën e Përfaqësuesve, por përballet me shqetësime nga ligjvënësit që përmendin çështje të politikës së brendshme, si sigurimin e kufirit SHBA-Meksikë.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, duke folur gjatë një konference për shtyp në Kapitol (10 prill 2024)
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, duke folur gjatë një konference për shtyp në Kapitol (10 prill 2024)

Pozita e tij si kryetar po sfidohet gjithashtu nga krahu më konservator i djathtë. Ligjvënësja republikane Marjorie Taylor Greene ka bërë thirrje për shkarkimin e kryetarit Johnson për shkak të kësaj çështjeje.

Ndërsa vazhdojnë betejat politike në Kongres, situata e rrezikshme në fushëbetejë në Ukrainë po përkeqësohet.

Gjenerali Cavoli u tha ligjvënësve se në këtë konflikt, ka qenë shpëtimtar për Ukrainën furnizimi amerikan me predha të kalibrit 155mm. “Në fushëbetejë më e efektshmja është artileria. Kjo vlen për shumicën e konflikteve, por në veçanti për këtë konflikt. Ukrainës do t’i mbaronin këto predha nëse ne ndalim furnizimin, pasi ne jemi furnizuesit kryesorë”, tha ai.

Rusia ka shtuar prodhimin e raketave dhe mundet tashmë të bëjë sulme masive të herëpashershme. Nëse Ukrainës i mbarojnë municionet për mbrojtjen kundërajrore, “këto sulme absolutisht që do të dëmtonin rëndë ekonominë, shoqërinë civile dhe ushtrinë e Ukrainës, nëse ato nuk arrijnë të mbrohen në mungesë të interceptorëve amerikanë”, tha gjenerali Cavoli.

“Kapacitetet e tyre për të mbrojtur terrenin që mbajnë aktualisht, si dhe hapësirën ajrore, do të zbeheshin me shpejtësi pa ndihma të reja”, tha gjenerali Cavoli.

Nëse Ukraina humbet luftën, në vazhdim mund të rrezikoheshin vendet fqinje baltike, të cilat janë anëtare të NATO-s, dhe për pasojë Shtetet e Bashkuara mund të tërhiqeshin në një luftë të zgjatur në Evropë.

Në një konferencë për shtyp të mërkurën në Kapitol, kryetari Johnson tha se “ligjvënësit vazhdojnë të diskutojnë në mënyrë aktive për opsionet që kemi”.

“Është një çështje e komplikuar në një kohë shumë të komplikuar. Ora po troket dhe të gjithë këtu e ndjejnë urgjencën, por ajo që nevojitet është arritja e konsensusit dhe për këtë po punojmë”, tha zoti Johnson.

Ligjvënësja demokrate Elissa Slotkin bëri thirrje që projektligji të hidhet në votim.

“Kryetari Johnson duhet të bëjë një zgjedhje. E pranoj se është një zgjedhje e komplikuar. E pranoj se ai rrezikon të humbasë postin për shkak të kësaj zgjedhjeje”, tha ligjvënësja Slotkin.

XS
SM
MD
LG